Iliriana Riza
19 February 2026
Me #PërrallaTëKuqe po vazhdojmë me Iliriana Rizën, artisten shqiptare që në vitin 1985 e publikoi albumin Calif De Funk në ish-Jugosllavi. Ky LP i rrallë, i regjistruem në Studio RTV Novi Sad dhe Studio RTP, përmban plot 8 kangë ku Riza nuk ishte vetëm vokaliste, por edhe bashkëautore. Në këto inçizime, ajo thuri ritme jazz-funk me nji impuls modern dhe krijoi nji tingull që i kthente sytë kah perëndimi, kah nji andërr për nji jetë tjetër–si një vegim i frymës sint-pop që do të pasonte ne dekadën e ardhshme.
Në vitet ’80, shqiptarët në Jugosllavi jetonin në izolim politik e social, dhe mundësitë për gratë artiste ishin të kufizueme. Megjithatë, Riza performoi live, inçizoi dhe bashkëpunoi me muzikantë të rij në qytete të ndryshme të Jugosllavisë, si Novi Sadi. Përkundër pak materialeve arkivore, qoftë për biografinë e diskografinë e saj, ky album mbetet nji dëshmi e hapësinës së veçantë që ajo krijoi dhe nji gjurmë konkrete e afirmimit artistik dhe e lirisë brenda nji konteksti politik të kufizuem. Për kënaqësinë tuej i kemi mbledhë të gjitha kangët siç paraqiten në album, dhe i kemi paraqitë këtu me vargjet përkatëse.
Iliriana Riza supozohet të jetë bija e historianit dhe dijetarit shqiptar të ndjerë Skender Rizaj, i cili themeloi departamentin e historisë në universitetin e Prishtinës dhe publikoi vepra si “E drejta historike e shqiptarëve për vetëvendosje.” Thuhet se Iliriana emigroi ne Kanadë gjatë kulmit të gjenocidit shqiptar, ku tani jeton nji jetë larg skenës dhe syrit publik. Por, këto mbeten aludime mbi figurën e saj misterioze.
Ju ftojmë me e shijue edhe miksin Discostan nga @v_llnet: Kosovo New Wave në NTS Radio, ku ca kangë të Iliriana Rizës shfaqen bashkë me material tjetër të skenës shqiptare të viteve ’80.