Musine Kokalari (1917 - 1983)
17 January 2026
E ngecur mes dy botëve, realitetit të ashpër dhe kultivimit të pasioneve në fshehtësi, Musine Kokalari (1917 - 1983) ishte ndër shkrimtaret e para të gjuhës shqipe, intelektuale dhe veprimtare politike, dhe nji nga figurat ma të randësishme të mendimit demokratik të shekullit XX.
E lindun në nji familje gjirokastrite, Musineja u shkollue në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” në Tiranë dhe ma pas studioi në Universitetin e Romës. Në vitin 1939 botoi librin e parë “Siç më thotë nënua plakë”, ndërsa në vitin 1944 veprën “Rreth vatrës”, duke u dallue për nji prozë të ndjeshme, të rranjosun në jetën e përditshme dhe traditën.
Në vitin 1943 ajo bashkëthemeloi Partinë Socialdemokrate dhe mbrojti hapun parimet e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe lirinë e fjalës. Me përpjekjen e saj u botua edhe gazeta “Zëri i Lirisë”. Musineja u arrestua në vitin 1946 nga regjimi komunist dhe u dënue me 20 vjet burg. Në gjyq ajo deklaroi: “Unë s’jam fajtore… me mua ju doni me dënue Rilindjen.” Pas 18 vitesh burg, pjesën tjetër të jetës e kaloi e internueme në Rrëshen, tue punue në kushte të randa deri në vdekjen e saj.
Pas rënies së komunizmit, Musine Kokalari u shpall Martire e Demokracisë dhe u nderue me titullin “Nderi i Kombit”. Sot ajo kujtohet si nji za i hershëm i letërsisë shqipe me frymë sociale e etnografike, një fanar drite në kohë errësine.